Thaçi: Të largohen deputetët nëse mashtruan për shpenzimet e udhëtimit

Analisti politik dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka thënë se nëse konfirmohet se ndonjë deputet ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë duhet të japë dorëheqje.
Por nëse deputeti nuk jep dorëheqje, atëherë, sipas Thaçit, është detyrë e subjektit politik që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë.
Sipas Thaçit, nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj deputetit, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.
“Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale. Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante./21Media

Back to top button