Thaçi: Italia ka ndihmuar shumë Kosovën

Thaçi: Italia ka ndihmuar shumë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën zyrtare në Kalabri e ka nisur me takimin e përbashkët me udhëheqësit e Kozencës dhe kryetarët e Bashkive Arbëreshe të Kalabrisë të mbajtur në pallatin e Provincës së Kozencës.

Prefekti i Konzencës, Gianfranco Tomao, tha se ndjehet i privilegjuar që ka mysafir në Provincën e Kozencës presidentin Thaçi.

Ai theksoi se Kalabria është tokë e kulturës së 23 komuniteteve kalabreze, ndërkaq kultura arbëreshe është unike në kulturën njerëzore.

“Vizitat e tillë i kontribuojnë ruajtjes së identitetit arbëresh dhe integrimit në shoqërinë italiane”, u shpreh Tomao.

Duke folur për kontributin e Italisë për Kosovën, ai tha se ushtarët italianë nuk bënë vetëm luftë për Kosovën, por ata bënë edhe paqen në kuadër të KFOR-it.

Nga ana e tij, Thaçi falënderoi autoritetet e Kozencës dhe gjithë qeveritë italiane për kontributin që kanë dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe të pasluftës.

“U jemi veçanërisht mirënjohës autoriteteve të Kozencës për strehimin e refugjatëve të Kosovës në periudhën e luftës”, tha ai.

Presidenti theksoi se Italia përveç që ka njohur shtetit e Kosovës ndër të parët, ajo ka ndihmuar shumë edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Me udhëheqësit e Kozencës dhe kryetarët e Bashkive Arbëreshe të Kalabrisë, Thaçi ka diskutuar edhe për trashëgiminë e pasur arbëreshe dhe për format e mundshme të bashkëpunimit institucional dhe kulturor në mënyrë të ndërsjellë./21Media