Themelohet bordi i përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Jugut

Është themeluar bordi i përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se në objektin e MAPL-së në Mitrovicë të Veriut është mbajtur takimi i parë i këtij bordi.

“Në objektin e MAPL-së në Mitrovicën e veriut, u mbajt takimi i parë i Bordit të Përbashkët, i kryesuar nga unë si përfaqësues i Kryeministrit Albin Kurti, në prani të Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit Erden Atiq, nënkryetarit, Arian Tahiri dhe anëtarëve të bordit nga dy komunat.”

Kurti për këtë cështje javën e kaluar ka shkuar për takim te Kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe ai Mitrovicës së Jugut Bedri Hamza, takimi kishte marrë vëmendje më shumë për shkak të konotacionit politik.

Bordi i Përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Jugut është themeluar disa muaj para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Sipas Krasniqit ky bashkëpunim parashihet me ligjin për kufijtë administrativë të komunave që parashikon bashkëpunim të ngushtë mes dy komunave përmes krijimit të një bordi të përbashkët funksional.

Ai ka shkruar se përmes bashkëpunimit në fusha të caktuara, ky bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta, do të ndërtojë besim dhe do të rrisë efikasitetin “duke dëshmuar se ndarjet e së kaluarës mund të tejkalohen”.

“Ky bashkëpunim parashihet me ligjin për kufijtë administrativë të komunave i cili parashikon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet dy komunave përmes krijimit të një Bordi të Përbashkët funksional. Themelimi i Bordit të Përbashkët ndërmjet Komunës së Mitrovicës së veriut dhe asaj të jugut vendos një model të ri bashkëpunimi institucional, që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Përmes bashkërendimit në fusha kyçe si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta, ndërton besim dhe rritur efikasitetin duke dëshmuar se ndarjet e së kaluarës mund të tejkalohen. Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën mbikëqyrjen e përfaqësuesit të Kryeministrit, ky bashkëpunim është shembull i qeverisjes së mençur dhe përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve, pa asnjë dallim.”

Back to top button