Themelorja ende pa vendim për gjykimin në mungesë në rastin “Banjska”

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka një vendim për gjykimin në mungesë ndaj 42 të akuzuarve në rastin “Banjska” të cilët gjenden në Serbi derisa seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve të tjerë që janë në paraburgim në Kosovë do të mbahet më 17 prill. Njohës të sistemit të drejtësisë, vlerësojnë se Gjykata duhet sa më parë të marrë një vendim për ose kundër gjykimit në mungesë, derisa kanë mendime të ndryshme nëse ky gjykim në rastin “Bansjka” lejohet apo jo.
Po bëhen pothuajse 6 muaj që kur Gjykata Supreme ia la në dorë Gjykatës Themelore në Prishtinë vendimin për gjykimin në mungesë ndaj 42 të akuzuarve në rastin “Banjska” të cilët gjenden në Serbi dhe kjo gjykatë ende nuk ka marrë një vendim.
Lidhur me këtë çështje, RTV21 iu drejtuar Gjykatës Themelore por e njëjta nuk bëri të ditur se kur do të merret vendimi.
“Lidhur me rastin e të pandehurve të tjerë, për të cilët është veçuar lënda dhe për të cilët ka pasur propozim që të mbahet gjykimi në mungesë, ju njoftojmë se ende nuk është vendosur nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore i ishte drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të zhvillohet gjykimi në mungesë. Por Supremja kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që mund t’i ketë gjykata e shkallës së parë duke ia lënë vendimin trupit gjykues të rastit.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se Gjykata Themelore duhet t’i japë drejtim kësaj çështjeje sa më parë, ndonëse vlerësojnë se në rastin “Banjska” nuk mund të zhvillohet gjykimi në mungesë.
“Gjykata themelore departamenti special që është kompetentë duhet të merr një vendim dhe të vendos për pjesën që të akuzuarit s’janë kapur a të vazhdojë gjykimi në mungesë apo jo. Ne si IKD mendojmë se nuk ka mundësi dhe se lejon baza ligjore qe te ketë gjykim në mungesë për personat te cilat s’janë kapur nga drejtësia sepse kodi penal nuk parasheh që për veprat penalë që akuzohen te zhvillohet gjykimi në mungesë”, ka thënë për rtv21 Astrit Kolaj, Instituti i Kosovës për Drejtësi
Edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, avokati, Hasan Shala thotë se Themelorja duhet të marr një vendim pro ose kundër gjykimit në mungesë. Sipas tij, gjykimi në mungesë në rastin “Banjksa” duhet të lejohet.
“Gjykata duhet të merr vendim për ose kundër. Ose të merr vendim për zhvillim të gjykimit në mungesë ose te pezullojë procedurën”. Unë mendoj se gjykimi në mungesë duhet të mbahet sepse edhe neni 104 i kodit penale nuk e ka përcaktuar si vepër penale por ndër veprat”, ka thënë Shala.
Më 11 shtator të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit përfshirë përgjegjësin e sulmit, Milan Radojçiq.
Por para organeve të drejtësisë janë vetëm tre prej tyre, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq procedura penale ndaj të cilëve është veçuar nga të akuzuarit e tjerë që gjendën në arrati.
Sipas njohësve të sistemit të drejtësisë 42 të akuzuarit që gjenden në Serbi, për të cilët ka edhe fletarrest ndërkombëtar, mund të dorëzohen tek autoritet kosovare vetëm me një presion të shtuar ndërkombëtar.
Përderisa Radoiçiq dhe 41 të tjerët janë të lirë në Serbi, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, pritet të dalin para gjykatës në Prishtinë sërish më 17 prill në orën 09:30 në seancën e shqyrtimit gjyqësor.
Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq, akuzohen për veprat penale terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës tre të akuzuarit në krye me Milan Radojçiqin, më 24 shtator të vitit të 2023 kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe janë plagosur disa të tjerë./RTV21/21Media