Themelorja pezullon revokimin e licencës për “Kosova e Re”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar revokimin e licencës për kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Kjo u bë e ditur në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ku edhe po raporton guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.
Ndaj këtij vendimit të Themelores, BQK do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Anëtarët e pozitës kanë pyetur për vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e tërheqjes së licencës së kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.
Për këtë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se do të apelohet në Gjykatë të Apelit. Po ashtu, sipas tij janë ndjekur të gjitha hapat ligjor.
“Nuk kemi vendim final, është masë e përkohshme. Ne e kemi kontestuar këtë masë të përkohshme dhe do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Mehmeti.
Më tej, ai ka shtuar se si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj kompanie, ka ndikuar në marrjen e licencës.
Ndërkaq, zëvendësguvernatori Sokol Havolli shtoi se ky vendim përbën shkelje ligjore.
“Vendimi i Gjykatës Themelore përbën në vete shkelje ligjore. Ne do e apelojmë brenda afatit. Nuk ka pasur rrëzim të vendimit të Bankës Qendrore”, shtoi ai.
Kryesuesi i komisionit, Armend Muja ka pyetur për numrin e policave të sigurimit që janë paguar gjatë vitit.
“Diku përafërsisht 99 milionë, 52 për qind janë të dedikuara për dëme”, ka thënë Mehmeti.
Para anëtarëve të komisionit për Buxhet, guvernatori Fehmi Mehmeti ai ka siguruar se nuk do të ketë rritje të çmimeve të sigurimit.

Back to top button