Thirrjet serbe për sulm në Kosovë, KFOR: Nuk ka ndryshime në mision

Një numër mesazhesh nëpër rrjete sociale i bënë thirrje Iranit që të sulmojë bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë, pas nisjes së luftës SHBA – Iran në Lindjen e Mesme.

Lidhur me situatën e krijuar KFOR tha për RTV21 se aktualisht në forcën e saj nuk ka ndryshime të rëndësishme.

“Forca dhe pozicionimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim.”

KFOR theksoi se vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisit të sigurt dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirisë së lëvizjes. KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Prania dhe aktivitetet e përditshme të KFOR-it në të gjithë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik. Stabiliteti në rajon në fund të fundit varet nga zgjedhja e diplomacisë nga të gjitha palët mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike. NATO vazhdon të mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me respekt për të drejtat e të gjitha komuniteteve.”

Tutje KFOR ka vlerësuar lart rolin e ShBA-së, në sigurinë në Kosovë si dhe në stabilitetin rajonal dhe që brenda KFOR-it ka afro 600 trupa.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, përfshirë edhe brenda kornizës së misionit KFOR të udhëhequr nga NATO. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të vendosura në kuadër të KFOR-it.  Ato kanë udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje (RC-East) të misionit. RC-East kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, përfshirë patrullat, ushtrimet, angazhimet me përfaqësues të të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen për projekte të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në përgjigje./RTV21/21Media

Back to top button