”Ti je zëdhënse e PDK-së” – Përplasje mes kandidatës së VV-së dhe kandidatit të AAK-së në Drenas

Debati zgjedhor në RTV21 për Komunën e Drenasit u tensionua ashpër mes kandidatit të AAK-së, Beqir Kiqina, dhe kandidates së LVV-së, Egzona Tërdevci. Përplasja nisi rreth projektit shumëmilionësh për sheshin “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”, por shpejt kaloi në akuza personale, etiketime politike dhe pretendime për përfshirje në afera e punësime të lidhura me qeverisjen e kaluar.
Tërdevci kundërshtoi ashpër ndërtimin e sheshit, duke e quajtur “investim të panevojshëm dhe jashtë prioriteteve të qytetarëve”. Ajo akuzoi Kiqinën për mbështetje të vazhdueshme ndaj Ramiz Lladrovcit dhe përpjekje për të përfshirë Vetëvendosjen në përgjegjësitë e projektit.
Kiqina e akuzoi Tërdevcin se ka bashkëpunuar me PDK-në, se ka ndërruar parti për interesa personale. Ai po ashtu përmendi akuza të mëparshme për “falsifikim të nënshkrimeve” ndaj saj.
Tërdevci: Ne e kemi kundërshtuar Sheshin aktual që ka qenë në Drenas dhe i ka plotësuar kushtet. E kemi parë të paarsyeshme që të investohen 4.8 milionë euro në një shesh.
Kiqina: Nuk është e vërtetë që VV e ka kundërshtuar sheshin, e kanë votuar. Unë jam ndër ata që e kam votuar atë shesh.
Tërdevci: Ky shesh është duke u bërë jashtë nevojave të qytetarëve. Komuna ka mundur të zgjedhë prioritete të tjera për qytetarët, jo një shesh të panevojshëm. Nuk është e nevojshme të përfshihen të gjithë në këtë listë që e kanë votuar këtë projekt, vetëm një anëtar e ka votuar, por ne të tjerët jo. Kiqina mbështet pa fund qeverisjen e Lladrovcit dhe mundohet të fshehë përfshirjen e VV-së.
Kiqina: Sa i përket VV-së, kanë mbetur me dy asamblistë dhe nuk kanë marrë hapa konkretë. Sa i përket mua, unë e kam mbështetur atë projekt. Një pyetje për ty, e nderuar: kush ka udhëhequr që nga paslufta deri tani në Drenas?
Tërdevci: PDK-ja e ka udhëhequr Komunën e Drenasit për 25 vitet e fundit. Kolegu ka mbështetur keq qeverisjen e Drenasit në 4 vitet e fundit. Këtë e dinë të gjithë qytetarët dhe për këtë është shpërblyer edhe me një vend pune.
Kiqina: Unë kam dokumentin që dëshmon para qytetarëve se kur kam hyrë në punë ka qenë para se të vinte Lladrovci. Kjo është shpifje. Ajo ka votuar për kryesues një anëtar të PDK-së dhe ka bërë thirrje për të mbështetur të propozuar nga radhët e PDK-së. Ka bashkëpunuar me PDK-në. Ka ndërruar subjekte politike për qëllime të veta dhe për përfitime personale. Je servile e Xhavit Drenorit, servile e Enver Dugollit, servile e Dejona Mihalit. Je servile sepse i ke ndërruar subjektet politike. Je akuzuar për falsifikim të nënshkrimeve, je zëdhënse e PDK-së.
Tërdevci: Nuk je ti ai që ma tregon derën. Je zëdhënës i Ramiz Lladrovcit. Nuk kam ndërruar subjekt politik. Unë jam vetëm asamblistja e VV-së në Komunën e Drenasit.
Tërdevci: Gjuha fyese që po përdor kolegu im është tepër e papranueshme.”
Kiqina: Ti viktimizohesh.