TikTok gjobitet për keqpërdorimin e të dhënave të fëmijëve
TikTok të premten u dënua me 370 milionë dollarë (347 milionë euro) nga rregullatorët e Bashkimit Evropian për shkak të sigurimit të dobët për mbrojtjen e të informatave private të fëmijëve që përdorin platformën, një shenjë e një kontrolli të shtuar me të cilin përballet shërbimi i rrjeteve sociale.
Cilësimi i parazgjedhur i TikTok nuk e mbrojti në mënyrë adekuate privatësinë e fëmijëve dhe as kompania nuk ishte transparente në shpjegimin e asaj që po bënte me të dhënat e përdoruesve të moshës 17 vjeç e lart, sipas Komisionit të Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës, i cili lëshoi dënimin në emër të Bashkimit Evropian.
Gjoba prej 345 milionë eurove është e para e lëshuar ndaj TikTok nga blloku i 27 kombeve për shkelje të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, raporton CNN.
TikTok po bëhet një objektiv më i shpeshtë i prindërve, politikëbërësve dhe rregullatorëve që janë të kujdesshëm ndaj praktikave të mbledhjes së të dhënave të kompanisë dhe efektit të platformës në shëndetin mendor të të rinjve. Në një sondazh të vitit 2022, 67 për qind e adoleshentëve amerikanë thanë se përdorin TikTok, me 16 për qind që thanë se e përdorin atë “pothuajse vazhdimisht”, sipas Qendrës Kërkimore Pew.
Shqetësimet janë intensifikuar nga lidhjet e TikTok me Kinën, ku ndodhet kompania e saj mëmë, ByteDance. Rregullatorët irlandezë po hetojnë veçmas nëse TikTok po dërgon në mënyrë të paligjshme të dhënat e përdoruesve nga Bashkimi Evropian në Kinë, një hetim që është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit.
Në Bashkimin Evropian, ku TikTok ka më shumë se 150 milionë përdorues mujorë, rregullatorët thanë të premten se kompania nuk po bënte mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët. Edhe pse shërbimi mund të përdoret nga ata më të vjetër se 13 vjeç, kompania ka shkelur rregullat e mbrojtjes së të dhënave duke pasur cilësime që i bëjnë videot dhe postimet publike si parazgjedhje, duke ekspozuar kështu informacionin dhe të dhënat e përdoruesve të saj më të rinj.
“Cilësimet e profilit për llogaritë e përdoruesve të fëmijëve u bënë publike si parazgjedhje, që do të thotë se kushdo, brenda ose jashtë TikTok mund të shikojë përmbajtjen e postuar nga përdoruesi fëmijë,” thanë rregullatorët.
Hetimi mbuloi periudhën nga 31 korriku 2020 deri më 31 dhjetor 2020. Rregullatorët thanë gjithashtu se TikTok nuk i pengoi në mënyrë adekuate përdoruesit e tij më të rinj që të përdornin disa zgjidhje për të anashkaluar kufizimet e moshës, duke përfshirë aftësinë për të dërguar dhe për të [ranuarmarrë mesazhe direkte. Kjo përfshinte përdorimin e një veçorie të “çiftimit të familjes”, në të cilën një përdorues i pa verifikuar si prind ose kujdestar mund të çaktivizojë kufizime të tilla për fëmijën.