Tirana pret Forumin e parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”

Tirana do të mirëpresë Forumin e parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6), që do të zhvillohet më 13–14 tetor 2025 në Pallatin e Kongreseve.

Kjo ngjarje historike vjen si një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Evropian, dhe ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas agjendës zyrtare, në ceremoninë e hapjes fjalën e mirëseardhjes do ta mbajë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Për të vijuar me fjalimin nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Forumi bën së bashku përfaqësues të lartë qeveritarë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.

Ky event përfaqëson një hap konkret drejt integrimit ekonomik rajonal dhe afrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, duke adresuar një sërë temash kyçe si: zhvillimi i infrastrukturës, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, fuqizimi i sektorit privat, dhe integrimi i zinxhirëve të vlerës rajonale në tregjet globale.

Agjenda e Forumit

Kryeministri Edi Rama do të presë të hënën, 13 tetor, në orën 09:50, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në orën 10:00 do të zhvillohet një takim kokë më kokë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes von der Leyen, i cili do të pasohet nga takimi bilateral mes dy delegacioneve.

Më pas, në orën 11:15, Kryeministri Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri. /vizionplus.tv

Back to top button