Tjetër arritje për FHK-në, “IHF Trophy” do të mbahet përsëri në Kosovë
Federata e Hendbollit të Kosovës rikonfirmohet edhe një herë si organizatore e shkëlqyeshme e garave ndërkombëtare. Shtëpia drejtuese të hendbollit kosovar të mërkurën ka marrë edhe zyrtarisht dritën e gjelbër nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit që të organizojë përsëri kampionatin “IHF Trophy” për zonën evropiane.
Lajmi është konfirmuar për RTV 21 nga presidenti I FHK-së, Eugen Saraçini, i cili bëri të ditur që institucioni që ai e drejton do të fillojë shumë shpejtë punët për organizimin e kësaj gare të rëndësishme të hendbollit kontinental, i cili do të mbahet në Prishtinë nga 13 deri më 19 janar të vitit të ardhshëm.
Kampionati do të mbahet për grupmoshat U18 dhe U20 në konkurrencën e meshkujve, me skuadrat fituese të të dy grupmoshave që më pas do të vazhdojnë garat në fazën interkontinentale për kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Përtej shumë efekteve pozitive të organizimit të një gare të tillë në kryeqytetin e Kosovës, zhvillimi i ndeshjeve para publikut vendës do të jetë një mundësi shumë e mirë që dy ekipet kombëtare të Dardanëve në këto dy grupmosha të kërkojnë vendet e para dhe kalimin në fazën interkontinentale, ashtu siç bëri skuadra U18 te femrat vitin e kaluar, që më pas siguroi edhe kualifikimin historik në Kampionatin Botëror.
Detajet tjera, përfshirë emrat e Kombëtareve pjesëmarrëse do të bëhen të ditura së shpejti nga Federata e Hendbollit të Kosovës, që edhe një herë tjetër rikonfirmohet si një partner shumë i besueshëm I Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit për organizimin e garave të këtij niveli./21Media