Tjetër skandal në Turqi, presidenti tërheq skuadrën nga ndeshja se nuk iu dha penalltia

Sot ishte duke u zhvilluar ndeshja mes skuadrës së Istanbulspor dhe Trabzonspor në Super Ligën e Turqisë, ndërsa në minutën e 79’ ajo u ndërpre.
Pas skandalit me refer të hënën e 12 dhjetorit, ku presidenti i Ankaragucu hyri në fushë dhe grushtoi zyrtarin e ndeshjes, kampionati turk iu rikthye këtë javë aksionit, pas një jave ku nuk u zhvillua asnjë ndeshje, raporton KosovaPress.
Por, skandalet nuk kanë të ndalur në futbollin turk, ku sërish janë përfshirë një president klubi dhe një refer.
Presidenti i Istanbulspor, Ecmel Faik Sarialioglu hyri sot në fushë dhe tërhoqi skuadrën e tij nga fusha, pas vendimeve të vazhdueshme të dyshimta nga referi i ndeshjes.
Pjesë e skuadrës së Istanbulspor është edhe ylli kosovar, Florent Loshaj i cili edhe ishte duke luajtur në ndeshjen e sotme, derisa ajo u ndërpre në minutën e 79’.