“Torta”, mollë sherri mes PDK-së e Vetëvendosjes

Deputetët e Vetëvendosjes dhe PDK-së janë përplasur në rrjetet sociale.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka akuzuar deputetët e grupit parlamentar të PDK-së se i kanë bërë dhuratë një tortë deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Zyba në Facebook pretendon se torta erdhi përmes një asistenti të një deputeti të PDK-së.
“Befasia e seancës së sotme nuk ishte mosvotimi nga ana e opozitës, por ‘befasia’ që grupi parlamentar i PDK-së i kishin bërë deputetit të Listë serbe, Slavko Simiq, për ditëlindjen e tij. Tortja për të erdhi përmes një asistenti/këshilltari të grupit parlamentar të këtij subjekti”, thuhet në postimin e tij.
Postimin e Zybës e ka shpërndarë edhe nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“PDK-ja tortë për Listën Serbe?”, ka mbishkruar Murati.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i PDK-së, Artan Behrami, duke deklaruar se do të “ndjekin rrugët ligjore për shpifjet e tij”,
Behrami e ka quajtur Zyben “aksident politik”.
“Sali Zyba nuk është as befasia e seancës, as shqetësimi i opinionit – është, thjesht, një aksident politik që përfaqëson standardin më të ulët të përfaqësimit parlamentar në historinë e Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Behrami.
Reagimi i tij i plotë:
Sa herë që thesi i rrenave u harxhohet, i kthehen Serbisë, Radojçiqit dhe Listës Serbe, të cilat e mbajnë Kurtin dhe VV-në politikisht gjallë.
Sa herë që Kurti e humb betejën me popullin, përmes Dejonës, e ndërsyn tipin e Zybës, të cilin e ka bërë deputet me qykë të zorit për ta mbajtur grupin e tij parlamentar nën kërcënim të vazhdueshëm.
Por, për shpifjet e Zybës do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore, derisa demokracia do të triumfojë mbi tundimet autokrate të Kurtit.
Sa për tortë, kumbarët e Listës Serbe në Kuvend dihet kush janë.
Është Kurti me VV-në që kërkojnë votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe.
Sali Zyba nuk është as befasia e seancës, as shqetësimi i opinionit – është, thjesht, një aksident politik që përfaqëson standardin më të ulët të përfaqësimit parlamentar në historinë e Kuvendit të Kosovës. /21Media