Traktori i merr jetën një qytetari në Rahovec
Një person ka vdekur sot në Rahovec, pas lëndimeve që ka marrë nga një traktor.
Rastin për rtv21.tv e ka konfirmuat Nysret Xhurkaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës.
Ai ka thënë se “rreth orës 16:00 nga QKMF-ja në Rahovec, Stacioni policor-Rahovec është njoftuar se një person ka kërkuar ndihmë mjekësore. Rastit i është përgjigjur patrulla policore dhe kanë kuptuar se viktima e lartcekur është sjellë në emergjence me lëndime serioze”.
Tutje, Xhurkaj ka njoftuar se pas marrjes se ndihmës së parë, viktima me autoambulancë është dërguar për në emergjencën e Spitalit rajonal të Gjakovës, pasi gjendja e tij ishte duke u keqësuar, dhe më pas me autoambulancë është transportuar në drejtim të QKUK-së në Prishtinë.
“Rrugës për në Prishtinë, viktima ka vdekur. Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia dhe është kuptuar se i ndjeri ishte duke e servisuar traktorin në oborrin e tij, dhe gjatë punës traktori ka lëvizë”, ka thënë Xhurkaj.
Në konsultim me prokurorin, pas intervistimit të familjareve, trupi i pa jetë i viktimës u është kthyer familjarëve për varrim./21Media