Trazira në një burg në Ekuador, vriten 68 të burgosur
Të paktën 68 të burgosur janë vrarë në një përleshje të armatosur në të njëjtin burg në Ekuador, ku më shumë se njëqind të burgosur kishin mbetur të vrarë në përleshjet midis bandave rivale në shtator.
Mediat ndërkombëtare raportuan se trazirat në burgun Litoral në qytetin e Guayaquil filluan të premten në mbrëmje. Njësitë e policisë që kanë hyrë në ndërtesat e burgut kanë gjetur armë, eksplozivë dhe armë të ftohta.
Afro 300 të burgosur kanë vdekur deri më tani këtë vit në burgjet e vendit.
Dhuna e lidhur me bandat e shtatorit ishte më e keqja në historinë e Ekuadorit. Në atë kohë, të burgosurit nga njëra anë e burgut sulmuan anëtarët e bandës rivale. Qindra oficerë dhe ushtarë të ushtrisë u vendosën për të rimarrë kontrollin e kompleksit.
Përleshjet e armatosura, ku disa të burgosurve iu prenë kokat, tërhoqi vëmendjen për ndikimin në rritje në Ekuador të bandave të krimit ndërkombëtar, si kartelet Sinaloa dhe Jalisco New Generation me bazë në Meksikë./21Media