Tregti me mallra që futen fshehurazi nëpër kufirin shtetëror, dukuri shqetësuese në Kosovë

Pije, produkte ushqimore, duhan, materiale ndërtimore e kafshë janë disa prej mallrave që futen fshehurazi nëpër kufirin shtetëror në Kosovë, e me të cilat tentohet të bëhet tregti.
Policia kufitare e Kosovës vazhdimisht raporton raste të tilla të cilat arrin t’i parandalojë.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se prej 1 janarit deri më 12 korrik të këtij viti janë regjistruar hiç më pak se 99 raste.
“Numri i rasteve të veprës penale “Kontrabandim i mallrave” për periudhën kohore 01.01.2022-12.07.2022 është gjithësej 99 raste”, ka thënë Policia për rtv21.tv.
Gjatë fillimit të muajit korrik, Policisë i doli punë më shumë me kontrabanduesit e kafshëve.
Tri ditë para festës së Kurban Bajramit Policia kufitare e Kosovës kapi 81 krerë dele dhe 6 krerë lopë, në tri raste të ndara. Kafshët dyshohet të jenë futur në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.
Kontrabandistët shpesh shfrytëzojnë shtigje të ndryshme malore që t’i fusin ilegalisht këto mallra në Kosovë./21Media

Back to top button