Tregtia e jashtme, thellohet deficiti tregtar – kjo është vlera e eksportit në mars

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin mars 2026, të cilat tregojnë për një thellim të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Deficiti tregtar arriti në 563.5 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5.2% krahasuar me marsin e vitit 2025, kur ishte 535.7 milionë euro. Sipas ASK-së, eksporti në këtë periudhë mbulon importin me vetëm 13.6%.
“Në mars 2026, eksporti i mallrave arriti vlerën prej 88.4 milionë euro, duke shënuar rritje prej 18.2% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, importi arriti në 651.8 milionë euro, me një rritje më të moderuar prej 6.8%”, thuhet në njoftim.
Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 26.2%, pasuar nga plastika dhe goma (12.4%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11.1%), artikujt e ndryshëm të prodhuar (8.3%) dhe tekstili (8.2%).
Në anën tjetër, importi dominohet nga produktet minerale (14.5%), makineritë dhe pajisjet mekanike dhe elektrike (14.3%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (10.6%), mjetet e transportit (10.6%) si dhe metalet bazë (10.0%).
Tregtia me Bashkimin Evropian
Sipas ASK-së, eksportet drejt vendeve të BE-së arritën në 29.3 milionë euro, që përbëjnë 33.2% të eksporteve totale, me rritje prej 12.9%. Partnerët kryesorë ishin Gjermania (10.0%), Italia (3.8%) dhe Holanda (2.9%).
Importet nga BE-ja arritën në 284.1 milionë euro, ose 43.6% e totalit, me rritje prej 14.1%. Pjesëmarrjen më të lartë e kishin Gjermania (13.5%), Italia (4.5%) dhe Polonia (3.4%).
Tregtia me vendet e CEFTA-s
ASK bën të ditur se eksportet në vendet e CEFTA-s arritën në 40.8 milionë euro, ose 46.2% të totalit, duke shënuar rritje prej 21.8%. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut (16.2%), Shqipëria (14.2%), Serbia (8.8%) dhe Mali i Zi (5.2%).
Ndërkohë, importet nga CEFTA ranë në 78.1 milionë euro (12.0% e totalit), me një rënie të theksuar prej 23.1%. Importet kryesore vinin nga Shqipëria (3.8%), Maqedonia e Veriut (3.6%) dhe Serbia (3.3%).
Tregtia me vendet tjera
ASK tha se eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18.2 milionë euro (20.7%), ku partnerët kryesorë ishin Zvicra (10.2%) dhe Turqia (3.8%). Ndërsa, importet nga këto vende kapën vlerën 289.6 milionë euro (44.4%), me pjesëmarrjen më të madhe nga Kina (14.6%) dhe Turqia (11.0%).
Të dhënat e ASK-së konfirmojnë vazhdimin e hendekut të lartë tregtar, pavarësisht rritjes së eksporteve gjatë kësaj periudhe.