Tregu i hapur energjetik, “fluturon” çmimi i vajit

Vendimi i ZRRE-së për tregun e hapur energjetik i cili ka prekur mbi 1300 bizneseve në Kosovë do ta destabilizojë ekonominë e vendit, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, mënyra se si u nxorën bizneset në tregun e hapur dhe i gjithë procesi i tranzicionit energjetik do të sjellë pasoja të pariparueshme për qytetarët në Kosovë. Berat Mustafa, pronari i fabrikës për prodhimin e vajit, ngre alarmin se çmimi i produktit të tij pashmangshëm do të shtrenjtohet dhe në këtë mënyrë do të favorizohen produktet e importit të cilat siç thotë janë me bollëk në Kosovë.

“Unë mendoj që minimumi diku çmimi do të rritet për 30 cent për litër do të jetë vaji më i shtrenjte. Duke pa koston operative në të cilën ndikon rritja e çmimit të rrymës. Dhe sa do që qytetari është patriot dhe konsumon produkte vendore dhe don t’i përkrah, duke pas buxhetin e tyre dhe krizën që po jetojnë nuk do të ketë mundësi ta blejnë për 30 centë më shtrenjte në krahasim me regjionin që tregu jonë është i stërmbushur me produkte të huaja. Produkti vendor do të ketë rënie të madhe që në fund do ta paguaj konsumatori unë nuk po e kuptoj sesi qeveria nuk po reagon sepse nuk janë vetëm prodhuesit por edhe qytetari konsumator ai që e blen produktin”, tha Mustafa për rtv21.

Se tregu i hapur energjetik, në mënyrën se si po bëhet do ta destabilizojë ekonominë e vendit e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna.

“ Ka me ndiku deri në 70%, tek tjegullat, tek sektori i ndërtimtarisë pra do të shtrenjtohet metra katror për banesa e cila veç është shumë e shtrenjt, do të shtrenjohen produktet ushqimore…” , tha Rafuna

ZRRE, fillimisht ngriti çmimin e energjisë elektrike për më shumë se 16% në prill të këtij viti për të gjithë konsumatorët. Ndërsa nga 1 qershori vendosi që t’i nxjerrë në tregun e hapur energjetik mbi 1300 biznese të cilat vlerësohet se punësojnë mbi 140 mijë punonjës. Situata e krijuar me energjinë elektrike nxiti pakënaqësi të mëdha tek opinioni publik. Deri më tani lidhur me këto procese qeveria në detyrë e udhëhequr nga LVV ka qëndruar e heshtur.

“Na duhet ta kuptojmë se rryma është kosto operative dhe të shtrenjtohet brenda 2 muajve 3 herë apo 3 fish apo 300% sigurisht që për prodhuesit është një kosto shumë e lartë dhe veç një pyetje e shtrojë për institucionet qeveritare si të konkurrojmë me regjionin? Duke e pa dhe duke e ditë se energjia elektrike është kosto operative e prodhuesit, sepse fabrika si të shkon në mëngjes nuk mund të startosh pa energji elektrike dhe ma e vështira është se për pak kohë vjen vendimi të dalësh në tregun e lirë kur nuk e ke planifiku nuk ke nda buxhet për këtë tranzicion dhe përnjëherë duhet të paguash 300% më shtrenjte kjo është diçka e papranueshme”, shtoi Mustafa

Sipas të dhënave të ASK-së inflacioni në Kosovë gjatë muajit korrik ka shënuar rritje për 4.3 %. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë energjia elektrike për 16.6%, mishi për 12.7%, pemët për 10.7%, perimet për 10.7%. Ndërkohë, qytetarët situatën e krijuar me energjinë dhe paralajmërimet për valën e re të ngritjes së çmimeve po e shohin me shqetësim.

“Kta po i ngulfatin, bizneset po kqyrin me mjelë çka nuk mjelët’, tha një qytetar

“Kjo është katastrof bre vlla, le ti rrisin ka 200 euro le ti bajnë, mirë na bajnë”, tha një tjetër qytetar

“Vallahin nuk është mirë se na nuk jemi shtete tjera, këtu është Kosovë rrogat e vogla…”

Në kundërshtim të tregut të hapur energjetik një numër i madh i bizneseve kanë ushtruar padi kundër ZRRE-së, për çka janë duke pritur vendimin final të Gjykatës Komerciale. Ndërkohë, padi në Gjykatën Supreme ka ushtruar edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Ndërsa, PDK-ja ka bërë të ditur se gjatë javës, vendimin për tregun e hapur energjetik do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tregun e hapur energjetik i mundësoi edhe një numri të bizneseve të tjera të afërta me pushtetin që të licencohen për furnizim me energji e të cilat tashmë ka nisur një fushatë aktive reklamimesh nëpër rrjete sociale për shërbimet e shitblerjes së energjisë./RTV21/21Media

Back to top button