Trendafilova nën masa të rrepta sigurie takon Avokatin e Popullit

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova sot pasdite është parë duke dalë nga objekti i Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ekaterina Trendafilova, ka anuluar sot konferencën për media, por jo edhe disa aktivitet të saj në Prishtinë.

Kp merr vesh se Trendafilova pak më parë ka qenë në takim me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Kjo vizitë është realizuar nën masa të rrepta sigurie.

Pas kësaj vizite, Trendafilova është parë edhe në ambasadën e Zvicrës në Prishtinë, përkatësisht në lagjen “Muhaxherët”.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep ka thënë se konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, është anuluar “në interes të sigurisë publike”.

“Mund të konfirmoj se ngjarja e sotshme është anuluar në interes të sigurisë publike dhe bazuar në këshillat nga Policia e Kosovës. Kjo është e gjitha që mund të them për tani. Do të shohim më vonë për detaje shtesë. Nuk ka ndonjë gjë tjetër që mund të them për këtë çështje”, tha më vonë para gazetarëve, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Ky anulim i konferencës, erdhi pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para hotelit ku pritej të mbahej konferenca.

Back to top button