Trepça dhe Prishtina përballen për trofeun e Kupës së Kosovës

Sonte me fillim nga ora 17:00 do të zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Kosovës në basketboll, ku Trepça dhe Sigal Prishtina do të luftojnë për këtë trofe në “Mizahir Isma”.
Për ta siguruar biletën drejt finales, Trepça e eliminoi Vëllaznimin dhe nikoqirin e turneut, Rahovecin.
Në anën tjetër, prishtinasit eliminuan Bashkimin dhe kampionin kosovar, Yllin.
“Xehetarët” dhe Sigal Prishtina janë përballur edhe në finale të Superkupës, e cila përfundoi me triumfin e kryeqytetasve.
Trepça është kampioni aktual i kësaj gare, kurse në përgjithësi e kanë fituar pesë herë këtë garë, krahas Prishtinës që e ka fituar plot 15 herë, ku e fundit ishte në vitin 2021 në Therandë.
17:00 KB Trepça – Sigal Prishtina (Palestra sportive Mizahir Isma – Rahovec)

Back to top button