​Trepça nis me humbje garat në skenën evropiane të basketbollit

Basketbollistët e Trepçës kanë pësuar në udhëtim në duelin e parë të grupit nga skuadra greke PAOK Selanik me rezultat 74:85.

Ndeshja e parë e mitrovicasve në Kupën Evropiane FIBA 2025/26 filloi me disfatë, raporton KosovaPress.

Grekët përfunduan çerekun e parë në favor të tyre me shtatë pikë epërsi 27:20. Ata dominuan edhe në dhjetë minutat e dytë duke përfunduar me rezultatin 18:13 ose 45:33 pjesa e parë.

Mitrovicasit u treguan më agresivë dhe më efikase në pjesën e dytë duke përmbyllur çerekun e tretë në favor të tyre 22:18. Në çerekun e katërt dhe të fundit PAOK nuk lejoi befasi dhe përfundoi ndeshjen në favor të vet duke shënuar fitore me 11 pikë epërsi- 85:74.

Brown te PAOK përfundoi ndeshjen me 18 pikë, 7 asistime dhe 4 kërcime, ndërsa JaCori Payne udhëhoqi Trepçën me 19 pikë, 4 asistime e tri kërcime.

Në duelin tjetër të grupit, ekipi gjerman Braunshweig mposhti Wloclawek nga Polonia me rezultat të ngushtë 98:97.

Trepça do të ndeshet në Mitrovicë me PAOK ndeshjen e radhës më 5 nëntor.

Back to top button