Trepça rikthen mbi 1.250 hektarë prona, rrit të hyrat nga qiraja mbi 116 për qind

Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka shënuar një nga periudhat më të suksesshme në procesin e deklarimit, rregullimit dhe rikthimit të pronës publike, rritjes së prodhimit dhe forcimit të performancës financiare, duke rikthyer mbi 1250 hektarë tokë dhe duke dyfishuar të hyrat nga qiraja.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, tha për KosovaPress se gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026 janë arritur rezultate të prekshme në konsolidimin ligjor të pronave, rritjen e prodhimit dhe menaxhimin e aseteve strategjike të ndërmarrjes.
“Realisht ka filluar në fund të vitit 2024, por gjatë vitit 2025 ne kemi realizuar një progres të jashtëzakonshëm në procesin e deklarimit dhe rregullimit të pronës publike në Ndërmarrjen ‘Trepça’ Sh.A. Për momentin, ne kemi rikthyer në bazë të informatave që kemi, mbi 95 për qind e titullarëve janë të rregulluar, do të thotë janë rregulluar me sukses, pra kemi vendosur një qartësi ligjore mbi çështjen e pronës. Për momentin i kemi rikthyer mbi 1250 hektarë tokë, realisht të përbëra prej 2124 parcelave në 11 komuna të Kosovës, të vlerësuara sipas konstatimit në pronë afro 400 milionë euro. Në fillim të këtij viti 2026 kemi identifikuar edhe 85 parcela, realisht që bëjnë pjesë diku mbi 38 hektarë tokë dhe jemi në fazën e hulumtimit të parcelave të reja”, tha Ahmeti
Sipas Ahmetit, janë identifikuar dhe rikthyer prona në Mitrovicë të Jugut dhe të Veriut, ndërsa disa prej tyre janë vënë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera publike.
“Realisht ne i kemi të identifikuar Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut. Për momentin i kemi identifikuar disa prona që më herët nuk kanë qenë të identifikuara. Realisht kemi fletën poseduese dhe kopjen e planit për pjesën veriore. Gjithashtu, këtu duhet të theksoj se pas kthimit të këtyre pronave ne e kemi ndihmuar Policinë e Kosovës: mbi 5000 metra katrorë i kemi dhënë në shfrytëzim për Policinë e Kosovës që të shfrytëzohen për zyra. Gjithashtu i kemi ndarë edhe dy objekte që janë në pronësinë e Ndërmarrjes Trepça. Kemi bërë një marrëveshje memorandumi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, realisht këto do të shfrytëzohen, sipas informatave që i kemi, ose për gjykata ose për institucione të tjera publike”, tha kryeshefi i Ndërmarrjes “Trepca“, Faton Ahmeti
Në aspektin financiar, Ahmeti bëri të ditur se të hyrat nga qiraja janë rritur për mbi 116 për qind.
“Në aspekt të hyrave, ne kemi realizuar një rritje jashtëzakonisht të madhe, mbi 116 për qind rritje të të hyrave nga qiraja. Konkretisht, mund të themi se më herët kemi pasur të hyra rreth 28 mijë euro mujore, ndërsa tash i kemi afro 70 mijë euro të hyra mujore, dhe kjo është duke shkuar çdo muaj në rritje, për arsye se vetëm këtë muaj kemi bërë diku mbi 25 shpallje të reja, të cilat në mënyrë automatike do të reflektojnë në rritjen e të hyrave nga qiraja“, tha Ahmeti.
Ai tha se janë krijuar grupe punuese për identifikimin e pronave dhe rregullimin e titullarëve.
“Deri tash ne kemi krijuar grupe punuese për këtë çështje, për arsye se e kemi pasur ndër strategjitë kryesore rikthimin e pronës publike të ndërmarrjes. Pasi që jemi emëruar, kemi krijuar një grup punues që të identifikohen të gjitha pronat dhe titullarët. Ndryshimi i titullarëve, të cilët kanë qenë të shpërndarë në mbi 200 titullarë, ne i kemi vendosur në një titullar të vetëm, pastaj kjo ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm i këtij procesi. Ka pasur probleme të jashtëzakonshme, për arsye se ndryshimi i titullarëve nuk ka qenë i thjeshtë, është dashur të kemi një strategji të qartë duke identifikuar të gjitha pronat dhe emërtimet që kanë qenë në emërtime të ndryshme, por kryesorja është se kemi realizuar suksesin që kemi pritur si dhe kemi identifikuar edhe disa prona të tjera që ende nuk kanë titullar”, tha ai.
Sa i përket prodhimit, kryeshefi i Ndërmarrjes “ Trepça“ ka deklaruar se janë tejkaluar planet vjetore.
“Po, sa i përket prodhimit, ne kemi realizuar planin në eksploatimin e xehes mbi 105 për qind, e kemi realizuar planin në prodhimin e koncentratit mbi 115 për qind dhe e kemi realizuar planin e biznesit në prodhimin e zinkut mbi 100 për qind. Nëse e krahasojmë tash vitin 2024 me vitin 2025, ne në çdo pozicion kemi një rritje të jashtëzakonshme. Sa i përket rritjes në eksploatimin e xehes, e kemi diku mbi 57 mijë ton rritje, apo mbi 61 për qind. Rritje kemi edhe në prodhimin e koncentratit të plumbit, rreth 117 për qind, gjithashtu edhe në prodhimin e zinkut kemi mbi 86 për qind“, përfundoi ai.
Ndërsa, zyrtari për menaxhimin e pronave dhe aseteve, Burim Hajdini, shpjegoi për KosovaPress procesin e digjitalizimit të pronave të Trepçës.
“Jemi në pjesën më të rëndësishme të pamjeve për pronat e Trepçës. Këtu përpara, sikur po mund ta shihni, e kemi zonën kadastrale Shupkovc dhe pronat që gjenden në Komunën e Mitrovicës, siç është zona kadastrale e Mitrovicës dhe Shupkovcit. Këtu përpara e kemi Parkun Industrial, i cili është i shtrirë në disa njësi, e kemi Terminalin Doganor që tash është duke operuar, e kemi industrinë e baterive, e kemi metalurgjinë e zinkut dhe e kemi industrinë kimike; këto janë pronat që i kemi digjitalizuar. Në pjesën mbrapa meje është zona kadastrale e Mitrovicës, ku e kemi të vendosur fabrikën e pajimeve dhe procesit, ndërsa në Zveçan e kemi Metalurgjinë e Plumbit, që ka qenë edhe ajo është zonë e jona, ndërsa në kodrat për rreth janë zonat e Boletinit prona të Trepçës, të cilat tashmë i ka në pronësi”, tha Hajdini.
Ai vuri në dukje se vetëm në Mitrovicën Veriore janë rikthyer 91 parcela, apo 13 hektarë tokë, me vlerë financiare rreth 24 milionë euro.
“Për momentin gjendemi në Mitrovicën Veriore, ku në pronësi të Trepçës i kemi rikthyer 91 parcela, apo 13 hektarë, që peshojnë në vlerën financiare për afërsisht 24 milionë euro. Për momentin, këtu disa prej pronave apo objekteve i kemi dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që janë këto objekte këtu. Do të thotë, e gjithë kjo zonë për momentin është në pronësi të Trepçës, duke përfshirë edhe kalimet rrugore dhe gjithë infrastrukturën”, tha ai.
Me rikthimin e mbi 1250 hektarëve tokë, rregullimin ligjor të titullarëve dhe rritjen e ndjeshme të të hyrave dhe prodhimit, Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka konsoliduar pronësinë publike dhe ka forcuar menaxhimin e aseteve strategjike. Procesi i digjitalizimit, bashkëpunimi me institucionet publike dhe organizimi i pronave e vendosin Trepçën në një pozicion më të qëndrueshëm financiar dhe operativ, duke hapur rrugë për zhvillim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme.