Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Prishtinë
Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës thuhet se një person është arrestuar pasi ka sulmuar të dashurën e tij.
Rasti ka ndodhur të premten.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën është në lidhje”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse, në një rast tjetër në Prishtinë, një grua është arrestuar për dhunë psikike.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta i ka shkaktuar dhunë psikike nënës së saj. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”.
Ndërsa, në një rast tjetër të dhunës në familje në Lipjan, një burrë u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili në vazhdimësi i shkakton dhunë psikike dhe fizike bashkëshortes së tij. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.