Trump: Dërgimi i ushtrisë në Venezuelë, është “një opsion”
Kriza në Venezuelë
Duke folur në një intervistë për transmetuesin CBS presidenti amerikan Donald Trump tha se dërgimi i ushtrisë në Venezuelë mbetet një opsion dhe se e ka refuzuar kërkesën për takim me presidentin Nikolas Maduro.
“Natyrisht në kriza vazhdon dërgimi i ushtrisë mbetet një opsion”, tha presidenti amerikan.
Ndërkohë, shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian pritet që ta njohin liderin opozitar, Juan Guaido si president të Venezuelës, teksa afati prej tetë ditësh për presidentin Nicolas Maduro për të shpallur zgjedhje të reja, kalon sot.
Maduro ka refuzuar kërkesën e shtetit të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Spanjës, Portugalisë, Holandës dhe Belgjikës, duke e cilësuar si “pafytyrësi”.
Maduro u tha mbështetësve të tij gjatë një tubimi dje në Karakas se “unë jam presidenti i vërtetë i Venezuelës”.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shtetet kyçe të rajonit, përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Argjentinë, tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Guaidon.
Shtetet e tjera, përfshirë Rusinë që kanë lidhje të ngushta ushtarake me Qeverinë socialiste të Venezuelës mbështesin Maduron.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ndërkaq tha sot se shtetet që kanë njohur presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, po nxisin edhe më shumë thellimin e krizës në këtë shtet.
Guaido, 35 vjeç, shpalli vetën president të përkohshëm më 23 janar, teksa dhjetëra mijëra persona protestuan në mbarë Venezuelën kundër Maduros, i cili ka bërë betimin si president në muajin janar.
Të paktën 35 persona janë vrarë gjatë protestave në Venezuelë.