Trump gjobitet 9 mijë dollarë, kërcënohet edhe me burg

Gjykatësi, Juan Merchan, vendosi të martën se ish Presidenti Donald Trump shkeli urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi e gjobiti zotin Trump me 9 mijë dollarë për shkelje të përsëritura të urdhrit që e ndalon atë të bëjë deklarata publike për dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerë të lidhur me çështjen.

Nëse përsëritet shkelja e urdhrit, paralajmëroi gjykatësi, ai mund të burgoset. Prokurorët kishin pretenduar për dhjetë shkelje, por gjykatësi gjeti se ishin nëntë. Zoti Trump i kishte ngulur sytë në tryezë ndërsa gjykatësi e lexoi vendimin.

Kandidati republikan për president ka pohuar se ai po ushtron të drejtën e lirisë së fjalës, por vendimi i gjykatësit nxjerr në pah se zoti Trump është i pandehur në një çështje kriminale që duhet t’i nënshtrohet realitetit të ashpër të procedurës gjyqësore.

Kërcënimi jashtëzakonshëm nga gjykatësi për të burgosur një ish president sinjalizon rritjen e pasigurisë ligjore të zotit Trump në varësi të sjelljes së tij gjatë pjesës së mbetur të gjyqit.

Gjykatësi Merchan shkroi se ai është “shumë i vetëdijshëm dhe mbrojtës” për të drejtat që gëzon zoti Trump në bazë të Amendamentit të Parë , “veçanërisht duke patur parasysh kandidaturën e tij për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se gjykata nuk do të tolerojë “shkeljet me dashje të urdhrave të saj të ligjshëm dhe se, nëse është e nevojshme dhe e përshtatshme sipas rrethanave, ajo do të vendosë një dënim me burg”. Deklarata e gjykatësit tregon për mundësinë që zoti Trumë të bëhet ish presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që mund të shkojë në qeli.

Back to top button