Trump kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme, njofton tarifën e re globale prej 10%

Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve, e cila rrëzoi tarifat e gjera që ai kishte vendosur, duke e cilësuar vendimin si “thellësisht zhgënjyes”.

Kështu, presidenti amerikan njoftoi menjëherë vendosjen e një tarife të re globale prej 10% mbi importet, përmes një baze tjetër ligjore.

Tarifë e re 10% “me efekt të menjëhershëm”

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se vendimi i së premtes nuk ndalon tarifat në vetvete, por vetëm përdorimin e një dispozite të caktuar ligjore, konkretisht International Emergency Economic Powers Act, që sipas gjykatës nuk i jepte atij autoritetin e pretenduar.

Ai njoftoi se do të firmosë një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë globale 10% duke përdorur Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974.

Sipas tij, tarifat e vendosura më parë do të mbeten në fuqi të plotë.

Trump shtoi se nuk ka nevojë për miratim nga Kongresi, duke argumentuar se autoritetet ekzistojnë edhe në kuadër të Seksionit 232 dhe 301.

“Mund të shkatërroj tregtinë, por jo të vendos një tarifë?”

Gjatë konferencës për shtyp, Trump kritikoi ashpër gjyqtarët që votuan kundër tij, duke i quajtur “turp” dhe “kukulla”.

Ai deklaroi se vendimi nënkupton se ai “nuk mund të ngarkojë as një dollar ndaj ndonjë vendi”, ndërsa theksoi se ka kompetenca për të ndërprerë plotësisht tregtinë apo për të vendosur embargo.

“Me fjalë të tjera, mund ta shkatërroj tregtinë, mund ta shkatërroj një vend, por nuk mund t’i vendos një tarifë të vogël”, u shpreh ai.

Sipas korrespondentëve të BBC-së, toni i Trump ishte më i qetë se zakonisht, ndonëse zemërimi ishte i dukshëm. Megjithatë, ai nuk dha detaje të plota mbi një “Plan B” konkret për zbatimin e tarifave të reja.

Çështja e rimbursimeve në pikëpyetje

I pyetur nëse miliardat e dollarëve të mbledhura nga tarifat që prej shpalljes së “Liberation Day” do të duhet të kthehen, Trump tha se kjo çështje “nuk është diskutuar” dhe se mund të përfundojë në gjykata për vite me radhë.

“Besoj se do të duhet të gjykohet për disa vite. Sa e çmendur është kjo?” deklaroi ai, duke shtuar se proceset gjyqësore mund të zgjasin deri në pesë vjet.

Trump ka argumentuar prej kohësh se tarifat nxisin prodhimin vendas amerikan dhe forcojnë pozicionin e SHBA-së në politikën e jashtme. Megjithatë, sipas BBC-së, komuniteti i biznesit dhe kundërshtarët politikë të tij paralajmërojnë se kostot përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.

Kujtojmë se me shumicë 6-3, Gjykata Supreme vendosi se Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij kur përdori një ligj të rezervuar për emergjenca kombëtare për të vendosur tarifa të gjera. Sipas gjyqtarëve, taksat mbi importet kërkojnë miratim nga Kongresi.

Vendimi prek të ashtuquajturat tarifat e “Liberation Day”, por nuk anulon tarifat individuale të vendosura ndaj vendeve apo produkteve specifike.

Back to top button