Trump: NATO nuk është organizatë e vjetruar

Presidenti i SHBA-së ndryshon qëndrimet

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndryshuar qëndrimet që ka pasur më herët për NATO-n dhe Kinën.

Presidenti amerikan nuk e sheh më NATO-n si organizatë të vjetruar, ndërsa për Kinën tha se këtë vend nuk do ta cilësoi më si manipulues të valutës, përkundër faktit se këto qëndrime të tij bien ndesh me paralajmërimet, të cilat ai i kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Për aleancën Trump tha se më herët është e vërtetë se ka thënë se NATO është organizatë e vjetruar, por shtoi se tani ajo më nuk është e vjetruar, shkruan rtv21.tv

Trump, i cili u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se kërcënimi nga terrorizmi dëshmon për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e NATO-sa dhe shtoi se aleanca duhet të bëjë më shumë, për të ndihmuar partnerët në Afganistan dhe Irak.

Por Trump nuk ndryshoi vetëm qëndrimin e tij për NATO-n, por edhe për Kinën dhe në intervistën për gazetën Wall Street Journal, theksoi se nuk do ta cilësoi më Kinën si manipuluese të valutës, duke shtuar se ka pasur takim konstruktiv me presidentin kinez, Ksi Xhinping dhe shprehu bindjen se Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë me Uashingtonin në lidhje me çështjen e Koresë së Veriut.

Presidenti amerikan foli edhe për marrëdhëniet me Rusinë, duke thënë se Uashingtoni nuk pajtohet fare me Moskën dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë rënë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Trump tha se shpreson se do të jetë në gjendje të përmirësoi marrëdhëniet me Presidentin rus, Vlladimir Putin, por shtoi se do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se momentalisht, Uashingtoni dhe Moska nuk pajtohen fare mes vete.

Presidenti amerikan lavdëroi me këtë rast edhe sekretarin e shtetit, ReksTillerson, i cili qëndroi për vizitë në Moskë, ku ndër të tjera u takua edhe me Putinin. Trump tha se takimi i Tillersonit me Putinin ishte i suksesshëm, por qartësoi se mbesin të hapura shumë çështje dhe se ende nuk dihet se në çfarë drejtimi do të lëvizin marrëdhëniet mes dy vendeve./21Media

Back to top button