Trump: Ukrainasit mosmirënjohës për ndihmën e SHBA – reagon Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky tha të dielën se vendi i tij është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump për të gjitha përpjekjet amerikane që synojnë të ndihmojnë Kievin, edhe pse Trump kishte shkruar më parë në Truth Social se Kievi zyrtar ishte mosmirënjohës.
Trump tha më herët në rrjetet sociale se udhëheqësit ukrainas nuk kishin shprehur “asnjë mirënjohje” për ndihmën amerikane në luftën kundër Rusisë.
Por Zelensky në një reagim në Telegram tha se “Ukraina është mirënjohëse ndaj SHBA-së, ndaj çdo zemre amerikane, dhe veçanërisht ndaj presidentit Trump për ndihmën që duke filluar me raketat Javelin, po shpëton jetë ukrainase”.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj Evropës dhe grupeve G7 e G20 për ndihmën e tyre, duke thënë se përpjekjet për të ruajtur atë mbështetje ishin të rëndësishme.
“Gjithçka duhet të përpunohet siç duhet në mënyrë që të mund ta përfundojmë vërtet këtë luftë dhe të parandalojmë që lufta të ndodhë përsëri,” shtoi ai.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe kryenegociatori i Ukrainës Andriy Yermak përshëndetën sot “progresin e mirë” në bisedimet e vazhdueshme në Gjenevë mbi planin e Trump për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por pranuan se ka ende shumë punë për të bërë.