Trusti pa bord që nga marsi, Hoti tregon pasojat

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar performancën e Trustit Pensional të Kursimeve gjatë vitit të kaluar.

Ai tha se kthimi bruto nga investimet ka qenë negativ për -119.9 milionë euro, si dhe ka pasur rënie të çmimit të njësisë për -5.5 për qind.

Më tej, Hoti tha se Trusti Pensional nuk ka bord nga data 1 mars i këtij viti. E pasojat e mungesës së Bordit, ai thotë se janë të mëdha për qytetarët e vendit.

“Trusti Pensional nuk ka Bord nga data 1 mars 2023 dhe si rezultat: (1) nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve nga tregjet dhe instrumentet financiare, në të cilat ka rënie, dhe (2) kursimet e mbledhura nga Trusti nga 1 mars 2023 e këndej nuk do të mund të investohen në tregje financiare”, shkroi Hoti në “Facebook”.

Në të dy rastet, ish-kryeministri dhe ish-ministri i Financave, tha se dëmet i bartin qytetarët që kanë kursime në Trust.

“Ministri i Financave, Auditori i Përgjithshëm dhe Guvernatori i BQK-së kanë përgjegjësi për këtë situatë”, ka shkruar Hoti në Facebook, derisa shtoi se këta të tre do duhej të propozonin me kohë anëtarët e bordit për votim në kuvend”, tha Hoti./21Media 

Back to top button