Trysnia ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i konfirmoi, të martën, RTV21 se më 31 janar do të organizojë një diskutim për Asociacionin me përfaqësues institucionalë të opozitës dhe shoqëritë civile. Deri më tani përveç ministrit për kthim Nenad Rashiq, që iu përgjigj ftesës, nuk është e qartë nëse institucionet e Kosovës do të marrin pjesë në debat.
Agon Batusha nga Lëvizja Vetëvendosje tha se një asociacion njëetnik në kundërshtim me kushtetutën nuk mund të themelohet dhe vlerësoi se kjo çështje nuk duhet të diskutohet me Beogradin meqë është çështje e brendshme e rregullimit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mund të japin opinionet e veta dhe mendimet e veta, natyrisht që ne si deputet dhe si organe të shtetit duhet të kemi qëndrimet tona dhe nuk duhet të lejojmë asnjëherë bosnjëzimin e Kosovës apo atë që e cenon funksionimin normal të Kosovës”, tha Batusha.
Në Lidhjen Demokratike e Kosovës thonë se duhet të merren parasysh këshillat e aleatëve ndërkombëtar por, Rrezarta Krasniqi nga kjo parti vlerëson se megjithatë ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutën.
“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi përkrah kryeministrin me proceset integruese. Gjithmonë presim që të formohet një asociacion me të gjetura kushtetuese. Qeveria duhet t’i ndëgjoj aleatët ndërkombëtar. Ata po thonë që të gjitha marrëveshjet duhet të implementohen. Unë po shpresoj dhe besoj që asociacioni duhet të ketë progres për arsye që po lidhet edhe me shumë procese të tjera”, tha ajo.
Ftesa e Ambasadës amerikane për debatin rreth Asociacionit ka përfshirë edhe shoqërinë civile. Një gjë të tillë e pati paralajmëruar edhe i dërguari amerikan Escobar, që ka paralajmëruar se një person dhe një parti politike nuk mund ta pengojnë themelimin.
Arbër Fetahu nga grupi për studime juridike dhe politike thotë se Kosova duhet të ketë edhe alternativa të tjera, jo vetëm refuzimin.
“Nëse pala kosovare do ta refuzoj çfarëdo forme të themelimit të asocialcionit do të ketë pasoja të ndryshme. Siç janë pasojat në bllokim të dialogut Kosovë Serbi, po ashtu mund të ketë edhe lloj fajësimi të Kosovës dhe degradimit të pozicionit të saj në dialog, mund të humbet momentumi i diskutimit për marrëveshjen finale apo planin evropian. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë pranojmë, nuk duhet të pranohet një asociacion vetëm pse është kërkesë pasi që një version i keq i asociacionit i cili është në kundërshtim me kushtetuten mund t’i shkaktojë dëme Kosovës”, tha Fetahu.
Analisti politik Gazmir Raci ka paralajmëruar edhe sanksione nëse nuk arrihet një pajtueshmëri për themelimin e Asociacionit. Ai ka kërkuar që Asociacionit të themelohet mbi bazën kushtetuese të Kosovës.
“Qeveria duhet të jetë e gatshme të përballet me argumente dhe kunderaargumentet që ka ky proces. Nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje konform propozimeve të Bashkimit Evropian atëherë kjo ka me pas pasoja në rrugën drejtë anëtaresimit në Bashkimin Evropian edhe për Serbinë por edhe për Kosovën”, tha Raci.
Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës,  kanë thënë se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës, të cilat i braktisën në nëntor të vitit të kaluar derisa të formohet Asociacioni i komunave në përputhje me marrëveshjen e parë midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel./21Media

Back to top button