Turqia vendos kufizime të eksportit ndaj Izraelit deri në shpalljen e armëpushimit në Gaza

Turqia njoftoi kufizime të reja në eksportet në Izrael të martën pasi ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan akuzoi Izraelin për refuzimin e një kërkese për dërgimin e ndihmës ajrore në Gaza.

Ministria e Tregtisë vendosi ndalimin e eksportit të 54 artikujve, veçanërisht produkteve që mund të përdoren për qëllime ushtarake ose ndërtimore. Në deklaratë, ministria dënoi parandalimin e Izraelit për aksesin në “ushqimin, kujdesin mjekësor dhe furnizimet më themelore” për popullin e Gazës.

“Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli, në kuadrin e detyrimeve të tij që dalin nga ligji ndërkombëtar, të deklarojë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe të lejojë një rrjedhje të mjaftueshme dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë.

Ndër artikujt e specifikuar të listuar në deklaratë ishin materiale çeliku dhe alumini, çimento, kabllo elektrike dhe makineri ndërtimi dhe metali. Duke folur në një konferencë shtypi në Ankara të hënën vonë, Fidan tha se Turqia po merrte “një sërë masash të reja kundër Izraelit” pasi Izraeli refuzoi kërkesën e tij për t’iu bashkuar operacionit të ndihmës jordaneze.

“Sot mësuam se kërkesa jonë, e cila u mirëprit nga autoritetet jordaneze, u refuzua nga Izraeli”, tha Fidan. “Nuk ka asnjë justifikim që Izraeli të bllokojë përpjekjen tonë për të dërguar ndihma për banorët e Gazës të uritur”, vazhdoi ministri i Jashtëm.

Turqia është ndër dy vendet kryesore që dërgojnë ndihma në Gaza, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe./21Media

Back to top button