Tusk: Propozimi i May rrezikon situatën e evropianëve në Britani

May thotë se ka bërë një propozim të drejtë

Propozimi i Theresa May në lidhje me të drejtat e emigrantëve evropianë në Britaninë e Madhe pas Brexit, është nën pritshmëritë tona dhe rrezikon të përkeqësojë situatën e evropianëve në vend, paralajmëroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

“Të drejtat e shtetasve janë në krye të prioriteteve të BE-së për 27 vendet anëtare në negociatat me Britaninë e Madhe, që nisën zyrtarisht të hënën në Bruksel”, theksoi Tusk gjatë një konference shtypi, duke përfunduar një samit të liderëve evropianë në Bruksel.

“Nëse krahasojmë të drejtat që gëzojnë aktualisht evropianët, që jetojnë në Britaninë e Madhe, është e dukshme që bëhet fjalë për reduktim të të drejtave të shtetasve”, u shpreh Tusk dhe shtoi se roli i BE-së në këto negociata, është parandalimi i këtij rreziku.

May u shpreh nga ana tjetër se ka bërë një propozim të drejtë dhe serioz, duke bërë publike synimet e vendit të saj në lidhje me të drejtat e tre milionë shtetasve evropianë që banojnë në Britaninë e Madhe.

Back to top button