U dogj për së gjalli me benzinë nga i dashuri, vdiq atletja olimpike

Atletja olimpike nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka vdekur pasi u dogj rëndë nga partneri i saj për një mosmarrëveshje të pretenduar për tokën.
Vrapuesja e maratonës, 33 vjeçe, u dërgua në spital në Kenia, pasi i dashuri i saj ia dogji me benzinë të dielën, tha policia.
Federata e Atletikës së Ugandës ka postuar në X: “Jemi thellësisht të pikëlluar të njoftojmë vdekjen e atletes sonë, Rebecca Cheptegei herët këtë mëngjes, e cila tragjikisht ra viktimë e dhunës në familje.
“Ne si federatë dënojmë akte të tilla dhe bëjmë thirrje për drejtësi. Shpirti i saj u preftë në paqe.”
Donald Rukare, shefi i Komitetit Olimpik të Ugandës, shtoi: “U preftë në paqe shpirti i saj i butë dhe ne e dënojmë fuqishëm dhunën ndaj grave.
“Ky ishte një akt frikacak dhe i pakuptimtë që ka çuar në humbjen e një atleteje të madhe. Trashëgimia e saj do të vazhdojë të qëndrojë.”
Duke folur për gazetën Keniane The Star, Dr Owen Menach, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Mësimdhënies dhe Referimit të Moi në Eldoret, tha se “ne e humbëm atë pasi të gjitha organet e saj dështuan” të mërkurën mbrëma.
Komandanti i policisë së qarkut Trans Nzoia, Jeremiah ole Kosiom tha të hënën se i dashuri i Cheptegeit, Dickson Ndiema, bleu një kanaçe me benzinë, e derdhi mbi të dhe i vuri flakën gjatë një mosmarrëveshjeje.
Ndiema gjithashtu pësoi plagë të djegura dhe u shtrua në të njëjtin spital, tha policia.
Prindërit e Cheptegei i thanë The Star vajza e tyre 33-vjeçare bleu tokë në Trans Nzoia për të qenë pranë qendrave të shumta të stërvitjes atletike të vendit.
Një raport i dorëzuar nga shefi lokal thotë se çifti u dëgjua duke u grindur për tokën ku ishte ndërtuar shtëpia, para se të fillonte zjarri./21Media