U lansua “Fondi i Inovacionit” me mundësi përfitimi prej 50 mijë eurosh
Projekti pritet të ketë ndikim në katër fusha të veprimit
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka lansuar skemën e re të granteve të Ministrisë “Fondi i Inovacionit”, me mundësi përfitimi prej 50, 000 eurosh.
“Skema e granteve, “Fondi i Inovacionit”, do të mbështesë NVM-të në zhvillimin e konceptit të tyre të inovacionit duke prezantuar produkte, shërbime, procese të reja të përmirësuara, me qëllim rritjen e potencialit të tyre ekonomik, në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare”, theksoi ministri Beqaj me rastin e lansimit të Fondit të Inovacionit.
Ministri Besi Beqaj tha se ky Fond është mundësi më shumë për ndërmarrësit, për më shumë mjete të investuara drejtpërdrejtë në sektorin privat nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
“Fondi i Inovacionit” është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ, përmes projekti”Krijimi i Punësimit Përmes Promovimit të Eksportit” (CETEP) dhe implementohet nga Qendra e Inovacionit e Kosovës (ICK).
Projekti parashihet të ketë ndikim në katër fusha të veprimit sipas nevojave të sektorit privat në sektorët: bujqësia, TIK dhe prodhimi. Fushat në të cilat do të mbështeten NVM-të janë: informacioni i lidhur me biznesin, shërbimet e biznesit të orientuara drejt tregut, inovacionet e produktit dhe procesit dhe promovimi i eksporteve.
Data e fundit për aplikim për grante të këtij Fondi është më 30 nëntor, në orën 16:00.