U tentua shmangia e tatimit, Dogana kap barna me vlerë rreth 49 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka kapur barna në vlerë rreth 49 mijë euro, për të cilat ishte tentuar shmangia e tatimit.
Sipas njoftimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash, ku gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.
“Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme”, thuhet në njoftim.
Dogana ka thënë se ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale.