Udhëheqësit botërorë premtojnë t’i japin fund shpyllëzimit deri më 2030

Më shumë se 100 udhëheqës globalë, që po marrin pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow të Skocisë, pritet të nënshkruajnë një zotim për të ndaluar dhe anuluar shpyllëzimin deri në vitin 2030. Deklarata e përbashkët do të nënshkruhet gjatë bisedimeve për klimën, të njohura si COP26, nga liderët e vendeve që kolektivisht përbëjnë 85 për qind të pyjeve të botës, tha përmes një deklarate Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson.
Brazili ku shtrirjet e pyjeve tropikale të Amazonës janë prerë, ishte mes nënshkruesve të martën, transmeton rtv21.tv.
Premtimi përfshin pothuajse 19.2 miliardë dollar, fonde publike dhe private.
Ekspertët e mirëpritën këtë vendim, por paralajmëruan se një marrëveshje e mëparshme në vitin 2014 kishte “dështuar të ngadalësonte shpyllëzimin” dhe duhej të përmbusheshin angazhimet.
Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha të CO2.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar,Boris Johnson tha se duhet të ndalohet shkatërrimi i pyejeve.
Samiti dy-javor në Glasgow shihet si vendimtar nëse ndryshimi i klimës do të vihet nën kontroll.
Vendet që kanë nënshkruar premtimin duke përfshirë Kanadanë, Brazilin, Rusinë, Kinën, Indonezinë, Republikën Demokratike të Kongos, SHBA dhe Britaninë e Madhe mbulojnë rreth 85% të pyjeve të botës.
Një pjesë e fondeve do të shkojnë në vendet në zhvillim për të rivendosur tokat e dëmtuara, për të trajtuar zjarret dhe për të mbështetur komunitetet indigjene.
Më shumë se 30 nga kompanitë më të mëdha financiare në botë duke përfshirë Aviva, Schroders dhe Axa – kanë premtuar gjithashtu t’i japin fund investimeve në aktivitetet që lidhen me shpyllëzimin.
Dhe një fond prej 1.1 miliardë funtesh do të krijohet për të mbrojtur pyllin e dytë tropikal më të madh në botë në pellgun e Kongos./21Media

Back to top button