Udhërrëfyesit tregojnë se me çfarë paragjykimesh për Kosovën vijnë turistët e huaj?

Pandemia por edhe lufta në Ukrainë si duket ka lënë gjurmë edhe në turizmin kosovar, të paktën kështu thanë në emisionin Start Up në RTV21 disa nga udhërrëfyesit
Udhërrëfyesi Arsim Rexhepi tha se interesim ka por punë nuk është se ka si në vitin 2019 për shkak të pandemisë por edhe situatës globale me luftën në Ukrainë.

Ngjashëm tha edhe udhërrëfyesja, Ardiana Pllana.
“Dallimi i këtij vitit me vitin 2019 është shumë i madh sepse edhe pandemia e ka bërë të vetën, por gjithsesi po e shohim se po ndikon edhe situata e krijuar në Ukrainë që po ka edhe anulime për shembull të rezervime që janë bërë për këtë periudhën më të hershme të pranverës edhe po ka nga pak ngecje po ka ndikimin e vet gjithsesi.”, tha ajo.

Ndërkohë u diskutua për rëndësinë që një guidë ka për vendin duke u cilësuar si ambasadori më i mirë. Duke treguar eksperienca të ndryshme udhërrëfyesit në emisionin
“Start Up” treguan se si turistët ndryshuan mendimet për Kosovën, të cilën disa e konsideronin si vend ekstrem fetar.
“Kur të vijnë në rrugë i shohin njerëzit se janë të veshur sikur në vende të tjera të botës, ata presin që të jenë të gjithë të mbështjellur, dhe e shohin, pasqyra e parë që Kosova nuk është vend ekstrem si e shohin ata por si vend demokratik evropian.”, tha Pllana
Sipas saj vizitorët mahniten nga monumentet historike “Mahnitja e tyre është jashtëzakonisht e madhe, por mos të harrojmë se udhërrëfyesit janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, tha Pllana duke shtuar se turistët vijnë me një imazh të keq si pasojë e propagandave.

Ndërkohë edhe udhërrëfyesi, Bekim Bytyçi tregoi për paragjykimet që behën mbi imazhin e Kosovës, megjithatë sipas tij institucionet, organizatat e sektori privat qenë shumë aktiv kohëve të fundit në ndryshimin e imazhit të destinacionit si Kosovë.
Tregoi një ngjarje kur në Paris në vitin 2015 kanë pyetur se a ka luftë ende në Kosovë.
“Nuk e kanë atë pasqyrë të qartë se si qëndron realisht Kosova në 20 vite pas lufte, kështu që imazhi është shumë me rëndësi, po ashtu edhe guidat e ndërrojnë këtë imazh për gjatë eksperiencës dhe provave që i takojnë në rrugëtimin në Kosovë.”, tha Bytyçi duke shtuar se pyetja me e sikletshme që i është bërë ka qenë për luftën në Kosovë si dhe pse ka kaq shumë bërllok në një natyrë kaq të bukur.

Bytyçi po ashtu tregoi edhe një rast kur botanistët e Danimarkës në malet e Sharrit i kanë parë disa lule të cilat para 100 viteve në Danimarkë janë zhdukur.

Ndërkohë shtoi se turistët ndihen të sigurt në Kosovë. “thonë se siguria është më e lartë këtu se në Francë “, tha ai.

Udhërrëfyesi Gazmend Kelmendi ndau përvojën e tij shumëvjeçare, duke bërë një krahasim të viteve të 80-ta me tani tha se kanë ndryshuar gjërat.
“Tash pak ka ndërruar edhe mënyra e rezervimit e krejt, përpara ne kur e kemi udhëhequr ndonjë grup për me lexu material për ndonjë kishë apo qyteze është dashtë me gjet atë kohë prej libri mandej me lexu e me mësu, sot me një click në internet po hyn po t’i qet krejt çka janë karakteristikat e një vendi që ti e viziton e po ashtu edhe mysafirët edhe ata për me rezervu s’po kanë më aq nevojë nëpërmjet agjencioneve turistike por direkt”, tha ai./21Media

Back to top button