Ukraina konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet e paqes

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se delegacioni i vendit të tij në një raund tjetër negociatash direkte me Rusinë do të udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, duke konfirmuar indirekt pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedimet e planifikuara për të hënën me një njoftim në platformën X.
Kjo është hera e parë që Ukraina deklaron zyrtarisht se do të merr pjesë në bisedimet e propozuara nga Rusia në Stamboll, pasi më parë kritikoi kushtet e armëpushimit të paraqitura nga Moska.
“Dëgjova raporte nga ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, ministri i Punëve të Jashtme, Shtabi i Përgjithshëm, agjencitë tona të inteligjencës dhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. Mbrojtja jonë, veprimet tona aktive dhe diplomacia jonë. Ne po bëjmë gjithçka për të mbrojtur pavarësinë tonë. Rustem Umerov do të kryesojë delegacionin ukrainas”, shkroi Zelensky.
Në njoftimin e sotëm, Zelensky raportoi se përpara takimit të nesërm në Stamboll, ai u kishte paraqitur detyra afatshkurtra ministrave të tij të mbrojtjes dhe të jashtëm, shtabit të përgjithshëm, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe kishte përcaktuar edhe qëndrimet e Ukrainës.
Prioritetet që presidenti renditi përfshijnë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, lirimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, raporton KosovaPress.
Të dyja palët u takuan për herë të fundit në Stamboll në mes të majit, kontakti i tyre i parë i drejtpërdrejtë publik që nga viti 2022. Bisedimet u pasuan nga një shkëmbim prej një mijë të burgosurve secila palë.