Ukraina kritikon sërish refuzimin e NATO-s

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov ka kritikuar sërish NATO-n për refuzimin e shpalljes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
“Argumentet rreth vrasjeve, sulmeve me bomba dhe raketa në ndërtesa banimi, spitale, maternitete dhe kopshte dhe shkatërrimi i një prej kombeve evropiane nuk janë të mjaftueshme në shekullin 21. Mirë,” tha Reznikov në një video-mesazh të lëshuar të shtunën.
Reznikov tha se si Çernobili, vendi i një prej aksidenteve më të rënda bërthamore në botë, ashtu edhe centrali bërthamor më i madh i Ukrainës në Zaporizhzhia janë nën kontrollin rus. Forcat ruse sulmuan Zaporizhzhia më herët, duke dëmtuar një nga reaktorët e saj.
“Të gjithë ata që tani po bllokojnë mbylljen e qiellit mbi Ukrainë, duhet të kujtojnë prillin e 1986”, tha ai, duke iu referuar katastrofës së Çernobilit.
Ai shtoi se synimi i uzinës së Zaporizhzhia nuk ishte rastësi, transmeton rtv21.tv.
“Këto janë veprime të qëllimshme. Rusia ka kryer një akt terrorizmi bërthamor. Ne ishim me fat për mrekulli, pasi zjarri u likuidua. Por nesër mund të mos jetë aq me fat.”
SHBA dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kanë thënë se nuk ka shenja të niveleve të larta të rrezatimit në uzinën e Zaporizhzia, e cila ra në duart e forcave ruse të enjten mbrëma.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se forcat ruse po përparojnë drejt një tjetër kompleksi të energjisë bërthamore të Ukrainës.
Reznikov u bëri thirrje qeverive perëndimore. “Dëgjoni popullin tuaj. Sondazhi i djeshëm i Reuters/Ipsos e bëri të qartë se zemërimi për pushtimin rus të Ukrainës po rritet. Rreth 74 për qind e amerikanëve, duke përfshirë shumicën dërrmuese të republikanëve dhe demokratëve, thanë Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët e saj të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut duhet të vendosin një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë, thuhet në sondazh”.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar vazhdimisht kërkesat për një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, pavarësisht lutjeve të përsëritura të presidentit Volodymyr Zelensky dhe zyrtarëve të tjerë ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus./21Media

Back to top button