​Ukraina po shton sulmet ndaj rafinerive ruse dhe kjo po funksionon

Një rritje dramatike e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës ka çuar çmimet e benzinës në Rusi në nivele rekord, pavarësisht se qeveria ndaloi eksportet e benzinës për t’u përballur me krizën.

Ukraina po i përqendron sulmet me dronë në rafineri, stacione pompimi dhe trena karburanti në një përpjekje për të dëmtuar makinën ruse të luftës – por edhe për të prishur jetën e përditshme në Rusi. Vera shënon kulmin e kërkesës midis shoferëve dhe fermerëve të Rusisë për benzinë.

Dronët ukrainasë kanë goditur të paktën dhjetë objekte kryesore energjetike ruse vetëm këtë muaj, sipas një numrimi sulmesh të CNN-së.

Dhe strategjia duket se po funksionon. Rafineritë e goditura përbëjnë më shumë se 44 milionë ton produkte çdo vit – më shumë se 10% të kapacitetit të Rusisë – sipas shërbimit të inteligjencës së Ukrainës.

Ndër objektivat – rafineria gjigante Lukoil në Volgograd, më e madhja në Rusinë jugore. CNN pasqyroi retë e tymit që ngriheshin nga uzina, e cila u godit në orët e para të 14 gushtit. Ministria ruse e mbrojtjes pranoi dëmet në uzinën, e cila u sulmua përsëri më 19 gusht.

Një rafineri e madhe në Saratov , gjithashtu në jug të Rusisë, u sulmua në fillim të këtij muaji. Dhe zjarret vazhduan të shtunën në një rafineri tjetër – në rajonin e Rostovit – më shumë se dy ditë pasi u godit, sipas Robert Brovdi, Komandant i Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës.

Mungesa të benzinës raportohen në disa rajone ruse dhe në Krimenë e aneksuar.

Një aktivist i një grupi pro-ukrainas në Krime, – Yellow Ribbon, – tha në Telegram se lloji më i popullarizuar i benzinës ishte zhdukur.

Pavarësisht subvencioneve qeveritare, konsumatorët rusë po paguajnë më shumë në pompë. Çmimet me shumicë të benzinës në bursën e Shën Petersburgut janë rritur me gati 10% vetëm këtë muaj dhe me rreth 50% që nga fillimi i vitit.

Analistët nuk presin lehtësim për të paktën një muaj, edhe pse qeveria ruse vendosi një ndalim për eksportimin e benzinës në fund të korrikut – gjë që nga ana tjetër kontribuoi në një rritje të eksporteve të naftës bruto.

Shërbimet ushtarake dhe të inteligjencës ukrainase kanë zhvilluar luftë me rreze të gjatë veprimi duke përdorur dronë, raketa dhe sabotim, edhe pse në terren po zhvillohet një konflikt shumë i ndryshëm. Ushtria pretendoi këtë muaj se sulmet me rreze të gjatë veprimi këtë vit kanë shkaktuar dëme prej 74 miliardë dollarësh , me gati 40% të sulmeve të paktën 500 kilometra brenda Rusisë.

Nuk është e mundur të verifikohen pretendime të tilla, por ka shumë prova vizuale të dëmit të shkaktuar në rafineri, rezervuarë magazinimi dhe stacione pompimi në muajt e fundit. Riparimi i një infrastrukture të tillë është i ndërlikuar nga sanksionet evropiane dhe amerikane.

Në një raport të enjten, shërbimi i inteligjencës së jashtme të Ukrainës tha se kompanitë ruse po blinin urgjentisht naftë nga Bjellorusia për të adresuar mungesat e brendshme. Rafineria shtetërore në Bjellorusi, Belneftekhim , thotë se javën e fundit “interesi për produktet bjelloruse të naftës në tregun rus është rritur”.

Ukraina po përpiqet gjithashtu të pengojë eksportet ruse të naftës. Javën e kaluar, dronët e saj goditën tubacionin Druzhba që furnizon me naftë ruse Hungarinë dhe Sllovakinë – dy vende të BE-së, qeveritë e të cilave mbeten në marrëdhënie të mira me Moskën.

Të dy u ankuan në BE, duke thënë se “me këto sulme Ukraina nuk po dëmton kryesisht Rusinë, por Hungarinë dhe Sllovakinë”.

Back to top button