Ukraina pret sinjalin e OKB-së dhe Turqisë për të filluar dërgesat e grurit

Ukraina është gati të nisë transportimin e miliona tonëve drithë në portet e saj jugore dhe po pret nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë rënë dakord të mbikëqyrin dërgesat, që të fillojnë operacionin. Këtë e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur. Ua kemi dërguar të gjitha sinjalet partnerëve tanë, OKB-së dhe Turqisë, dhe ushtria jonë garanton situatën e sigurisë”, ka thënë Zelensky, i cili ka vizituar personalisht njërin nga portet, Chornomorsk, prej ku do të nisen dërgesat e grurit, për të vlerësuar situatën.
Me shpresat për një largim të afërt, Zelensky iu është bashkuar ambasadorëve nga vendet e G7 në bregun e Detit të Zi, duke qëndruar përballë anijes Polarnet të regjistruar në Turqi.
Ndërsa anija po ngarkohej me grurë, zyrtarët kanë thënë se 17 anije të tjera ishin tashmë të ngarkuara me 600 mijë ton ngarkesë.
Kievi dhe Moska nënshkruan marrëveshje më 22 korrik, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, për të çliruar tri nga portet e Ukrainës: Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny, të cilat ishin bllokuar që kur Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj në fund të shkurtit.
Marrëveshja mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë./21Media

Back to top button