Ukraina synon të përshpejtojë eksportet e grurit përmes rrugëve të rihapura të lumit Danub

Ukraina shpreson të përshpejtojë eksportet e grurit përmes kanalit Bystre të lumit Danub të rihapur së fundmi, mes bllokadës së Rusisë ndaj porteve të saj kryesore të Detit të Zi.
“Në katër ditët e fundit, 16 anije kanë kaluar tashmë nëpër grykën e Bystre. Ne planifikojmë të ruajmë këtë ritëm”, informoi sot Yurii Vaskov, zëvendësministr i infrastrukturës i Ukrainës në një deklaratë.
Qasja në Danub dhe portet e tij të vogla lumore në brendësi u bë e mundur pasi forcat ukrainase rimorën ishullin e gjarpërinjve nga forcat ruse në qershor.
Vaskov shtoi se Kievi po negocionte me Rumaninë dhe Komisionin Evropian për të rritur numrin e anijeve që kalojnë përmes kanalit dhe pritet që bllokimi në rrugë “të eliminohet”, brenda një jave – duke i hapur rrugën Ukrainës që të rrisë eksportet e saj mujore të grurit me 500,000 tonë metrikë.
Më shumë se 90 anije presin të hyjnë në portet e Ukrainës përmes kanalit Sulina të Danubit, sipas Ministrisë së Infrastrukturës së Ukrainës.
Përpara luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt, rreth 80% e drithit të Ukrainës eksportohej nga portet e saj të Detit të Zi, tha ministria. Tani, eksportet largohen nga vendi ekskluzivisht përmes porteve të Danubit, pikave të kontrollit hekurudhor dhe rrugor.
Kapaciteti i rrugëve të reja është “aktualisht i pamjaftueshëm për të zëvendësuar plotësisht portet detare”, tha ministria.
Në qershor, Ukraina eksportoi rreth 2.5 milionë tonë metrikë mallra, shumë më pak se 8 milionë tonë metrikë që kishte shpresuar të eksportonte, shtoi ministria.
Turqia do të presë bisedimet të mërkurën me Rusinë, Ukrainën dhe Kombet e Bashkuara për eksportin e dërgesave të grurit të vendosura në portet e Ukrainës, sipas ministrit turk të mbrojtjes. Zyrtarët ukrainas thanë se më shumë se 20 milionë tonë drithë mbeten të bllokuara në Ukrainë për shkak të bllokadës së Moskës ndaj porteve të Detit të Zi, shkruan CNN./21Media

Back to top button