Ulen eksportet, thellohet deficiti tregtar i Kosovës për rreth 30%

Situata ekonomike ku vlera e importeve të një vendi është më e madhe se vlera e eksporteve quhet deficit tregtar. E kjo situatë veçse është thelluar në Kosovë për rreth 30%. Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 29,6% në muajin janar të vitit 2025, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej mbi 414 milionë euro, krahasuar me deficitin prej mbi 319 milionë euro në vitin 2024.
“Eksporti i mallrave në muajin janar 2025 kishte vlerën 59,7 milionë euro, ndërsa importi 473,8 milionë euro, që është një rënie prej 1,1% për eksport, si dhe një rritje prej 24,7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, përqindja kaq e lartë e deficitit tregtar është tregues se Kosova është një vend të cilit i mungon aktiviteti i brendshëm e prodhimi.
“…në aspektin ekonomik kjo tregon që nuk po kemi aktivitet të brendshëm, nuk kemi prodhimtari dhe jemi duke shtu importin, jemi duke u varur nga importi, përderisa është duke rënë eksporti dhe kjo nuk duhet të jetë strategjia e asnjë shteti e më së paku e Kosovës. Kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që të shtohet prodhimi dhe të kemi më shumë eksport e më pak import. Qeveria e ardhshme duhet ta ketë parasysh një mal kërkesash që do ti ketë përpara, duhet të subvencionoj, ndihmoj e të bëjë politika fiskale…”, tha Rafuna për rtv21.tv
Në rastet kur vendi importon më shumë produkte dhe shërbime sesa që eksporton, tregon një varësi të madhe nga jashtë për konsum dhe produkte, ku mund të ketë pasoja për stabilitetin e ekonomisë së vendit nëse nuk menaxhohet siç duhet, deklaron ish ministri i Financave, Haki Shatri.
“…kjo është një vazhdimësi e rritjes deficitit tregtar ndër vite. Dmth Kosova ka vazhdu me u rritë importi dhe vlera apsolute në krahasim me eksportin dhe kjo rritje tash është me instensive dhe shqetësuese. Prodhimtaria ka ngecë, ekonomia e Kosovës nuk ka kapacitete me prodhu as për nevojat e vendit e le për të eksportu…”, tha Shatri për rtv21.tv
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,1 milionë euro, ose 21,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra me 11,8% dhe SHBA-të me 2,8%.
“Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 185,7 milionë euro, ose 39,2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 12,9% dhe Kina me 12,1%”. /RTV21/21Media