Ulutash takohet me shefin e Shtabit e Ushtrisë serbe

Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Ozkan Ulutash është takuar sot me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq në Kopaonik të Serbisë.
Ulutash dhe Mojsiloviq ndanë pikëpamjet mbi situatën e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe mbi aktivitetet e bashkëpunimit, duke përfshirë patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), thuhet në njoftim.