”Unë kam qenë i informuar për gjendjen e anëtarëve të familjes Haliti”

 

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri sot në konferencë për media ka folur në lidhje me rastin e familjes Haliti e cila në Shqipëri ka humbur tre anëtarë.

Haziri ka theksuar se ka qenë i njoftuar për gjendjen e rënduar për anëtarët e familjes Haliti.

”Unë jam njoftuar për gjendjen e rënduar të kësaj familjeje më 7 maj. Menjëherë kemi shprehur interesimin dhe komunikimin drejtpërdrejt edhe përmes ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, ka qenë gjithçka e vonshme dhe këta tre anëtarë të familjes Haliti u shuan”, ka thënë Haziri.

Sipas Hazirit, Gjilani po kalon ditë të zeza, mirëpo duhet ta përballojmë këtë situate pasi që familja Haliti ka lënë tre djem dhe një vajzë si trashëgimi.

Kreu i Gjilanit ka thënë se po e presin rezultatin zyrtar të hetimeve të institucioneve të shtetit shqiptar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë.

”Me 8 maj zyrtarisht jam njoftuar nga institucionet e Shqipërisë për ndërmarrjen e veprimeve urgjente të organeve të shtetit, që përfshinë krimet e rënda, për fillimin e hetimeve dhe ndërmarrjet e para hetimore. Presim rezultatin zyrtar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë”, përfundoi Haziri.

Kujtojmë që, të shtunën policia e Shqipërisë ka raportuar se tre qytetarë nga Kosova, E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe, kanë vdekur në Gjirin e Lalëzit./21Media

Back to top button