“Unë s’t preku ty, ti mos m’prek mu”, Haxhiu: Ajo situatë po e çon vendin në humnerë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sonte në RTV21 deklaroi se ka takime me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë dhe se të njëjtat gjëra që i thotë publikisht, u shpreh se i thotë edhe me ata.
Ministrja Haxhiu në “Click” tha se nuk ka pasur raste të tilla kur ministri i drejtësisë ka aq shumë ballafaqime me sistemin prokurorial ose sistemin e drejtësisë.
“Pse s’ka pasë ballafaqime të tilla, sepse secili ministër i drejtësisë që ka qenë ka arrit me mbërri njëfarë pajtimi që unë s’t preku ty, ti mos m’prek mu edhe vazhdojmë kështu, mirëpo ajo situatë po e çon vendin në humnerë, po i detyron të rinjtë e të rejat, sepse e kam shqetësim serioz, që ta lëshojnë vendin”, tha ajo, shkruan rtv21.tv
Haxhiu u shpreh se nuk ka pasur asnjëherë përpjekje që të punohet seriozisht dhe të adresohen seriozisht problemet që janë.
“Edhe unë si ministre e drejtësisë shumë ma lehtë do ta kisha që me vazhdu qasjen qysh ka qenë deri tash”, tha tutje ministrja.
Ajo shtoi se nuk e ka marrë detyrën e ministres të bëjë hajgare dhe të vazhdojë të keqen./21Media