UNICEF: 142 fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Gjithsej 142 fëmijë janë vrarë dhe 229 fëmijë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka thënë drejtori i UNICEF-it, Manuel Fontaine.

“Ne e dimë se këto shifra mund të jenë shumë më të larta dhe shumë prej tyre janë shkaktuar nga zjarri i kryqëzuar ose përdorimi i armëve shpërthyese në zonat e populluara. Kam takuar një nga ata fëmijë në një repart të kujdesit intensiv në një repart spitalor në Zaporizhizia.  Vlad, i cili është një 4-vjeçar, u qëllua me dy plumba në stomak teksa po arratisej me familjen e tij nga një zonë e kontestuar.  Edhe pse ende pa ndjenja, Vlad pritet të jetojë, ndryshe nga shumë të tjerë”, ka thënë Fontaine.
Ai shtoi se rreth 3.2 milionë fëmijë vlerësohet të kenë mbetur në shtëpitë e tyre në të gjithë Ukrainën dhe “pothuajse gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm”. 
Rreth 1.4 milionë njerëz kanë mbetur pa akses në ujë, shtoi ai.
“Situata është edhe më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku fëmijët dhe familjet e tyre tani kanë kaluar javë të tëra pa ujë të rrjedhshëm dhe shërbime sanitare, furnizim të rregullt me ​​ushqime dhe kujdes mjekësor”, ka thënë Fontaine.
Të premten, më shumë se 50 njerëz u vranë në një sulm me raketa në stacionin në qytetin lindor të Kramatorsk.
Në atë kohë, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi se kishte shënjestruar stacionin.
Fontaine e përshkroi sulmin si “veçanërisht të tmerrshëm dhe të pandërgjegjshëm”./21Media
Back to top button