UNICEF-i i tronditur për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Organizata UNICEF ka reaguar pas rastit të dhunimit seksual të të miturës në Prishtinë.
“UNICEF është e tronditur dhe tejet e brengosur nga raportimet për sulmin seksual ndaj një vajze 11-vjeçare në Prishtinë të shtunën. Është kritike që fëmija në fjalë të merret nën përkujdesje dhe mbrojtje të menjëhershme dhe të garantohet drejtësia me masa përkatëse mbrojtëse, shërbime dhe konfidencialitet për fëmijën përgjatë tërë procesit. Mbrojtja e dinjitetit dhe privatësisë së fëmijëve të mbijetuar të dhunës është tejet e rëndësishme. UNICEF-i mbështet thirrjet e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile për llogaridhënie lidhur me këtë shkelje të të drejtave të fëmijëve dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të dhunës ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në reagimin e UNICEF.
UNICEF u ka bërë thirrje autoriteteve që të rrisin mbrojtjen e vajzave dhe djemve nga çdo formë e dhunës.
“Mbrojtja nga dhuna dhe abuzimi është e drejtë e çdo fëmije, siç edhe parashihet me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (KDF). UNICEF-i u bën thirrje autoriteteve përkatëse që ta rrisin mbrojtjen e vajzave dhe djemve nga të gjitha format e dhunës, si dhe të sigurojnë ofrimin e shërbimeve cilësore për viktimat dhe familjet e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dheevropiane”, përfundon reagimi i UNICEF./21Media

Back to top button