Urimet e liderëve të partive për Krishtlindje
Mustafa, Kurti dhe Veseli urojnë për Krishtlindje
Me rastin e Krishtlindjes, lideret e partive politike në Kosovë i janë bashkuar vazhdës së urimeve festive, duke uruar më shumë dashuri, begati e paqe për të gjithë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri, ka uruar një festë sa më të lumtur, pa lënë mënjanë mesazhin e solidaritetit dhe ndihmës për të varfrit e të diskriminuarit. “Miq të krishterë, gëzuar! Sot në mbrëmje shumë kisha në të gjithë botën do të mbajnë meshën për lindjen e Krishtit, shumë urime do të shkëmbehen, e fëmijët do të marrin dhurata. Mes tyre edhe bashkëkombasit tanë katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë, në Ballkan apo diasporë. Po ashtu, shumë prej popujve miq, një pjesë e të cilëve ndihmuan ushtarakisht e financiarisht Kosovën të çlirohet e të ecë përpara, sot në mbrëmje festojnë. Ne shqiptarët festat i festojmë bashkë, andaj miq të dashur të krishterë, mos harroni ta ruani një ëmbëlsirë të vogël edhe për ne. U uroj një festë sa më të lumtur, pa lënë mënjanë mesazhin e solidaritetit dhe ndihmës për të varfrit e të diskriminuarit. Si çdo fe e madhe, Krishtërimi ia përkujton njeriut kufijtë e individualizmit dhe të metat e egoizmit, dhe e drejton atë kah e mbara: puna e përkujdesja për tjetrin, për bashkësinë, familjen, fqinjin, bashkëqytetarët, bashkëkombasit, dhe mbarë njerëzimin. Gëzuar Krishtlindjen!”, ka shkruar në Facebook Kurti.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me dëshirën që kjo festë ta gjejë popullin e Kosovës të bashkuar, në mirëqenie dhe begati. “Të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë, për shumë mot Krishtlindjen. Uroj që kjo kremte të gjejë familjet tuaja të mbushura me shëndet, harmoni dhe dashuri. Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët e krishterë”, thuhet në telegramin e urimit të Mustafës.
Me rastin e Krishtlindjes, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar paqe, mbarësi dhe begati për të gjithë. “Gëzuar Krishtlindjen! Paqe, mbarësi dhe begati për të gjithë”, ka shkruar në Facebook Veseli.
Festa e Krishtlindjes është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjesht simbolike dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij./21Media