Uzurpimi i pronave në veri, Sveçla: Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e Serbisë, do të ketë hetim

(Lajm i përditësuar)

Uzurpimi i pronave në veri, Sfeçla: Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e Serbisë, do të ketë hetim

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në lidhje me mbylljen e institucionit paralel të Serbisë në Mitrovicë të Veriut ka thënë se sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

Ministri Sveçla përmes një postimi në Facebook është shprehur se ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë, do të ketë hetim.

“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla.

Aksion për lirimin e pronave të uzurpuara në veri

Me kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Policia sot ka asistuar sot për lirimin e disa pronave.

Për RTV21 lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Ai tha se aksioni u bë në një objekt banesor, derisa tha se gjatë aksionit kanë hasur në disa struktura paralele.

Elshani shtoi tutje se gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident.

”Sot pak para orës 11, Policia ka asistu zyrtarëy Komunal të Mitrovicës Veriore në lidhje me verifikimin e Pronës së tyre tek tre rrokaqiejt. Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal. Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftu Prokurorin e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident”, tha Elshani. /21Media

Back to top button