Vajrat motorike jo cilësore janë kthyer në vendin e origjinës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Inspektorati i Tregut në zbatim të vendimit për vajrat motorike, ka marrë mostra të vajrave motorike në terminalet doganore dhe në tregun e brendshëm, të cilat janë testuar në laboratorët e akredituar.
Në bazë të raporteve të testimit të mostrave të marra në terminalet doganore ka rezultuar që 34 mijë e 600 litra vajra motorike (me brende të ndryshme), janë në kundërshtim me cendimin e MINT, prandaj të njejtat janë kthyer në vendin e origjinës.
Sipas Ministrisë, vajrat motorike të cilat nuk janë lejuar të vendosen në tregun e brendshëm janë kryesisht me origjinë nga Serbia dhe pjesa tjetër nga Turqia, po ashtu dhe vendet e tjera.
Inspektorati i Tregut gjithashtu gjatë kontrollimit në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, ka sekuestruar 2 mijë e 270 litra vajra motorike të cilat janë vendosur në treg pa dokumentacion mbi prejardhje, si dhe në rastet kur vajrat motorike janë testuar në laboratori dhe me këtë rast ka rezultuar që ka mospërputhje të përbërjes dhe sasisë të deklaruar në etiketën e produktit.
“E ritheksojmë që procesi i marrjes së mostrave, testimit dhe verifikimit në laborator të akredituar është pa asnjë kosto financiare për bizneset. MINT respektivisht Inspektorati i Tregut garanton konsumatorët dhe bizneset e përgjegjshme që nuk do të lejohen të qarkullojnë në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, asnjë produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore, e gjithë kjo në interes të mbrojtjes së konsumatorit, vendosjes së produkteve cilësore në treg si dhe mbrojtjes së konkurrencës së drejtë në treg”, thuhet në njoftim./21Media